Thaçi i bie ‘fyellit të Nolit!’

haçi i bie ‘fyellit të Nolit!’Se ‘zbulimet’ e njeriut nuk rreshtin gjatë gjithë jetës së tij, na dëshmon edhe ‘zbulimi’ i fundit që beri kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, duke e parë nga afër mundësinë dhe mrekullinë që të ofron rrjetit socila Facebook.
Ka një kohë që kryeministri i Kosovës, i vendit që është bërë tashmë zyrtarisht ‘vrima e zezë’ e Europës, ofron mendimin e tij, herë në cilësinë e pozitës zyrtare e herë në pozitën e qytetarit të rëndomtë, mbi gjithkënd e mbi gjithçka.
Natyrisht duhet ‘xhelozuar’ shkathtësia e tij në këtë drejtim. Ai, pavarësisht se është duke dëshmuar nëpërmjet porosive në Facebook, se më së paku është kryeministri i vendit dhe më së paku është i përgjegjshëm për përgjegjësit kushtetuese e ligjore që ka, nuk i ka lënë pa i zbavitur adhuruesit e këtij rrjeti social. Veçmas adoleshentët kanë filluar të ndihen ‘krenar’ në interpretimin dhe ndarjen e mendimeve me kryeshefin e ekzekutivit të vendit.
Mbështetur në praktikën e gjer tashmë, mund të pritet shumë shpejt që Kryeministri Thaçi, do të deklarohet edhe mbi hapësirat argëtuese të të rinjve të cilët do të kenë mundësi ta ‘shijojnë’ preferencën e tij se ku është më i mirë argëtimi i tyre.
Ndërrimi edhe i vendbanimit prej anës së tij nga Buroja në Prishtinë, siç njoftuan edhe disa portale ditë më parë, le për të nënkuptuar se po bëhen të gjitha përgatitjet e duhura në këtë drejtim.
Populli thotë: “mos paq punë luaje derën”. Natyrisht kryeministri i Kosovës nuk ka punë. Të paktën ai është duke e luajtur derën.
Kjo ‘adoleshencë e vonuar’ e Kryeministrit Thaçi, të kujtojnë fyellin e Nolit, pak koha para se ai të rrëzohej nga pushteti. Në atë botë kryeministri i Shqipërisë, Fan S. Noli, duke e lutur i kërkoji mendimin kamerierit, gjersa po i sillte kafenë, se si i kishte punët Shqipëria. Kamerieri që po i shërbente Nolit në atë rast, nuk kishte haber se mendimin e tij po ia kërkonte në të vërtetë vetë kryeministri. Po çfarë të them, filloi t’i përgjigjej pa ndruajte kamerieri. Gjersa kryeministri i vendit i bie fyellit e ministri i Mbrojtjes organizon ahengje me jevgjit, punët e Shqipërisë nuk kanë ku veten më mirë!
Duket se gjatë pirjes së asaj kafeje, Kryeministri Noli, do ta ketë kuptuar se ai e kishte humbur fronin (pushtetin), pavarësisht se fyellit i binte më tepër prej marazit dhe mërzisë që punët e Shqipërisë nuk po ecnin si duhej.
Është mirë që Kryeministri i Kosovës të bëjë punën e kryeshefit të ekzekutivit për çka edhe është e zgjedhur e të mos e luaj lojën e strucit nëpër Facebook, se qytetarët e Kosovës janë më të zgjuar se sa është duke i vlerësuar ai dhe suita e tij.