Tekstura e ushqimit ndikon në perceptimin e kalorive dhe kontrollin e porcionit

056

Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar se ngjyra, shija dhe era, të gjitha ndikojnë në mënyrën se si njerëzit hanë dhe e shijojnë ushqimin. Por çfarë roli luan tekstura në shprehitë tona të ngrënies?

Sipas një studimi të udhëhequr nga Dipayan Biswas, profesor marketingu në Universitetin e Floridës Jugore, konsumatorët perceptojnë se ushqimet më të forta ose me teksturë më të papërpunuar kanë më pak kalori.

I botuar në “Journal of Consumer Research”, artikulli sugjeron se mënyra se si ushqimi ndihet brenda gojës tonë ndikon në llogaritjen e kalorive të konsumuara. Kështu, ngrënësit mund të ndikohen që të konsumojnë më shumë ushqim i cili ndihet më i fortë apo i papërpunuar.

Puna e Biswas u ndihmua nga Courtney Szocs, gjithashtu nga Universiteti i Floridës Jugore, si dhe studiuesja nga Universiteti i Michiganit, Aradhna Krishna, dhe studiuesi nga Universiteti i Columbisë, Donald R. Lehmann.

“E kemi studiuar lidhjen në mes të asaj se si ushqimi ndihet në gojën tonë dhe sasisë që e hamë, llojet e ushqimit që i zgjedhim, dhe sa kalori mendojmë se jemi duke i konsumuar”, shkruajnë autorët.

Hulumtuesit arritën në konkluzionet e tyre duke rekrutuar vullnetarë që do të shijojnë një shumëllojshmëri ushqimesh – disa të forta, disa të papërpunuara, të tjerat të buta – dhe më pas kërkuan nga konsumuesit që të bëjnë vlerësime kalorish për ushqimin.

Studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit në studim jo vetëm që kishin më shumë të ngjarë t’i vlerësojnë totalet e ulëta të kalorive, por gjithashtu kishin më shumë të ngjarë të hanë më shumë ushqime që ishin më të forta dhe të papërpunuara.

Biswas dhe bashkëhulumtuesit e tjerë shpresojnë se gjetjet e tyre nuk do të përdoren për të manipuluar me konsumatorët që të hanë më shumë ushqim të pashëndetshëm, por t’i ndihmojnë ithtarët e ushqimit të shëndetshëm se si të përfshijnë shprehi më të mira të ngrënies.

“Të kuptuarit e asaj se si tekstura e ushqimit mund të ndikojë në perceptimet e kalorive, zgjedhjen e ushqimit, dhe sasinë e konsumit mund të ndihmojë në shtytjen e konsumatorëve për të bërë përzgjedhje të shëndetshme”, përfunduan autorët.