Pasagjerët nuk u besojnë femrave pilote

0Femrave pilote u besohet më shumë se sa kolegëve të tyre meshkuj, këto janë rezultatet e një sondazhi të kryer nga agjencia turistike online, Sunshine.co.uk.

Rreth 51 për qind e të anketuarve thanë se u besonin më pak femrave pilote, ndërsa vetëm 14 për qind thanë se do të ndiheshin më të sigurt nëse femrat do ta drejtonin aeroplanin. Një e katërta e tyre deklaroi se gjinia e pilotit të tyre nuk është e rëndësishme, ndërsa nëntë përqind thanë se nuk ishin të sigurt.

Nga ata të që thanë se do të preferonin një pilot mashkull, 32 për qind prej tyre thanë se besojnë se “pilotët meshkuj janë më të aftë”, ndërsa 28 për qind thanë se aftësia e femrave pilote për t’i bërë ballë presionit ishte e diskutueshme.

Mungesën e piloteve, ose frikën nga e panjohura, gjithashtu e cekën një nga 10 të anketuar. Sipas librit për udhëtimin ajror, “Cockpit Confidential”, vetëm pesë për qind e ekuipazhit në kokpit përbëhet nga femra, transmeton Koha.net.

”Të gjithë ata që udhëtojnë e shohin që pilotët janë kryesisht meshkuj dhe nuk jam i sigurt se çfarë i dekurajon femrat që t’u bashkohen atyre me një numër më të madh. Ndoshta është për shkak se ishte pjesë e kulturës ushtarake në të cilën për dekada kanë dominuar pilotët”, tha Patrick Smith, autor i librit.

Nga ata të cilët thanë se preferojnë të shohin pilote femra duke e drejtuar aeroplanin, 44 për qind theksojnë se meshkujt janë “djegur në krizë”, ndërsa një e katërta mendojnë se meshkujt hutohen më lehtë.

“Të shohësh se më shumë se gjysma e personave nuk do t’u besonte femrave pilote është e habitshme. Është e qartë që shumë udhëtarë kanë stereotipe të cilat duhet t’i largojnë. Piloti bëhet krejtësisht i kualifikuar kur licencohet dhe atëherë është krejtësisht i aftë që ta drejtojë aeroplanin, dhe mund t’ju dërgojë në mënyrë të sigurt në destinacionin tuaj të dëshiruar, pa marrë parasysh nëse është mashkull apo femër”, tha Chris Clarkson, menaxher i Sunshine.

Në sondazh morën pjesë rreth 2.400 njerëz të cilët udhëtuan me aeroplanë vitin e kaluar.