Letër për mamin: Më çmende, ku ta gjej atë dreq burri

Po çmendem, jam 28 vjeç dhe mami më pyet çdo ditë se pse nuk po fejohem, më keq akoma pse nuk po martohem. Mundohem të anashkaloj ato shikimet e saj prej të nervozuare.

Pale kur ulem pranë saj për të pirë kafen e mëngjesit e fillon të më tregojë: Eh sa kërkesa kam pasur në moshën tënde moj vajzë, isha e bukur, e pastër, vishesha thjesht por shndërrinte rroba, kaloja e të gjithë më shihnin e më buzëqeshnin.

“ Kam pasur shumë raste por unë pranova babin tënd sepse ishte më simpatiku, më punë të mirë, me familje të mirë..Ehhh… unë kam qenë yll kurse ti je yll si unë, ke mundësi më shumë se unë të vishesh të dalësh, dhe nuk po më prezanton asnjë..çfarë problemi ke?

Do që të flasin njerëzit e të thonë: Ja i mbeti vajza beqare? Vetëm ty të kam… gjej një burrë moj bijë se kështu e ka dhënë zoti, unë nuk do jem gjithë jetën me ty.. duhet të krijosh familjen tënde.