Kush dhe pse e ndërtoi Taxh Mahallën?

Taxh Mahalla është e lidhur me një histori të pikëlluar, por shumë të bukur dashurie.

Treqind vjet më parë India sundohej nga Shah Jahan, i cili ishte në kulmin e pushtetit të tij.

Gruan e tij të preferuar, e cila ishte e bukur dhe e zgjuar, ai e donte më së shumti në botë, e shpalli atë edhe si këshilltare të tij.

Emri i saj ishte Mumtaz Mahal, shkruan gazeta “Zëri”.

Në vitin 1630 gruaja e dashur e sunduesit vdiq gjatë lindjes së fëmijës së katërmbëdhjetë.

Sunduesi mbeti i pikëlluar tej mase saqë ishte duke menduar për të braktisur fronin.

Në të gjithë këtë pikëllim dhe hidhërim, ai vendosi që për gruan e dashur të ngrejë monumentin më të bukur që ka ekzistuar ndonjëherë.

Ai ftoi artistët më të talentuar dhe arkitektët nga India, Turqia, Irani dhe Arabia për dizajnimin e monumentit.

Më shumë se njëzet mijë burra kanë punuar mbi tetëmbëdhjetë vjet për të ndërtuar Taxh Mahallën, një nga ndërtesat më të bukura në botë.

Ndërtesa është vendosur në një terren të mermertë, 7 metra i lartë.

Minaret ose kullat janë të ngritura në të katër qoshet, kurse vetë ndërtesa është mbi 50 metra e lartë, shkruan “Zëri”.

Ajo është një ndërtesë tetëkëndësh me mermer të bardhë, e zbukuruar me njëzet lloje të gurëve gjysmë të çmuar në formë të luleve, si dhe mbishkrimet nga Kurani në mermer të zi (pasi perandori ishte mysliman).

Materialet e ndërtimit e kanë origjinën nga shumë vende, Arabia, Egjipti, Tibeti dhe pjesë të ndryshme të Indisë, kurse për të transportuar të gjithë atë material janë përdorur mbi 1000 elefantë gjatë ndërtimit.

Sunduesi për veten e tij planifikoi të ndërtojë mauzoleun e njëjtë, por i bërë me mermer të zi, në anën tjetër të lumit, tek i cili do të çonte ura e ndërtuar prej argjendi të pastër.

Megjithatë, para se ndërtimi i Taxh Mahallës të përfundonte, djali i tij e kishte mbyllur në kështjellë, ku sunduesi qëndroi deri në fund të jetës së tij, duke shikuar përtej lumit në mauzoleun e gruas që e dashuronte.

auto_taxhmahalla1430033620