Beli i trashë mund t’i marrë vite jetës

0Barku i madh – edhe me një indeks të shëndoshë të masës trupore (IMT) – mund t’i marrë vite të tëra jetës së një personi, thonë hulumtuesit amerikanë.

Autori kryesor dr. James Cerhan, epidemiolog nga Klinika Mayo, dhe kolegët e tij shqyrtuan të dhënat nga 11 studime të ndryshme, të cilat përfshijnë më shumë se 600.000 njerëz nga e gjithë bota, transmeton Koha.net.

Studimi i botuar në “Mayo Clinic Proceedings” zbuloi se meshkujt me bel prej 1.1 metër ose më të madh në perimetër kishin një rrezik 50 për qind më të lartë të vdekshmërisë se meshkujt me bel më të vogël se 89 cm, dhe kjo përkthehet me një jetëgjatësi për 3 vjet më të vogël, pas moshës 40 vjeçare.

Përveç kësaj, femrat me një perimetër të belit prej 93 cm ose më të madh kishin rrezik 80 për qind më të lartë të vdekshmërisë se femrat me një perimetër të belit prej 68.5 cm ose më të vogël, dhe kjo përkthehet me një jetëgjatësi pesë vjet më të vogël, pas moshës 40 vjeçare, tha studimi.

Rreziku i rritur i vdekshmërisë u rrit në mënyrë lineare – për çdo 5 cm të perimetrit më të madh, rreziku i vdekshmërisë rritej për 7 për qind tek meshkujt dhe rreth 9 për qind tek femrat.
Një tjetër gjetje e rëndësishme ishte se rritja e rrezikut të vdekshmërisë me rritjen e perimetrit të belit ishte vërejtur në të gjitha nivelet e IMT-së, madje edhe në mesin e personave të cilët kishin nivele normale të IMT-së.

Për shkak të përmasave të mëdha të këtij studimi të grupuar, hulumtuesit ishin në gjendje ta tregojnë në mënyrë të qartë kontributin e pavarur të perimetrit të belit pas konsiderimit të IMT-së, tha Cerhan.

“IMT-ja nuk është ndonjë masë e përsosur,” tha Cerhan në një deklaratë. “Ajo nuk e dallon masën joyndyrore nga masën yndyrore, dhe gjithashtu nuk thotë asgjë rreth asaj se ku ndodhet pesha e juaj. Ne shqetësohemi për këtë, sepse yndyra e tepërt në barkun tuaj ka një profil metabolik që lidhet me sëmundjet si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.”